Shtëpia po u bie mbi kokë, babai: Çdo e ardhur ka shkuar për fëmijët, po të kenë shkollën fitojnë jetën
Familja në një fshat të Kavajës jeton në varfëri të tejskajshme, babai prej 17 vitesh me gurë në veshka
Emisioni “Historia ime” në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme historinë e vështirë të një familjeje në fshatin Synej të Kavajës, e cila jeton në një varfëri të tejskajshme. Kjo familje ka 4 fëmijë, të cilët janë rritur mes varfërisë.
Prindërit nuk kanë mundur t’iu japin dhuratat që kanë ëndërruar, por kanë një përkushtim të madh ndaj tyre, duke u përpjekur shumë edhe përtej mundësive që t’i shkollojnë fëmijët e tyre. Dy vajzat, Anxhela dhe Adela janë nxënëse të shkëlqyera në shkollë dhe mësuesja e tyre shprehet se ato janë krenaria e shkollës.
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka vizituar këtë familje dhe ka ofruar ndihmën e tyre për ta. Ata kanë dhuruar ushqime dhe kanë organizuar edhe një drekë për familjen, por gjithashtu ofruan edhe kurse anglishteje falas për vajzat.
Shtëpia e tyre është duke u shembur dhe kryefamiljari shprehet se çdo e ardhur e tyre ka shkuar për shkollimin e fëmijëve dhe ata nuk janë kujdesur për shtëpinë.
Gazetarja: Sa vite ke që banon në këtë banesë?
Kryefamiljari: Që në ’75!
Gazetarja: Gjithmonë je marrë me bujqësi?
Kryefamiljari: Me bujqësi, kemi punuar dhe kemi ngrënë bukë.
Gazetarja: Ju përveç Anxhelës dhe Adelës keni dhe dy fëmijë të tjerë apo jo?
Kryefamiljari: Po! Matildën dhe Xhevahirin. Matilda është në shkollën pedagogjike në Elbasan, për mësuese e ciklit të ulët. Kurse Xhevahiri ishte në shkollë profesionale në Kavajë, ma mori vëllai, ma kaloi në Itali ai. Mbushi moshën dhe e ndamë si gjithë të tjerët.
Gazetarja: Ti ke arritur t’i arsimosh të katërt dhe kjo është një meritë e jashtëzakonshme.
Kryefamiljari: Po kemi punuar sa më shumë vetëm t’u japim shkollën, se po të kenë shkollën fitojnë jetën, kanë jetën përpara.
Gazetarja: Kjo shtëpia jote, pothuajse po bie?
Kryefamiljari: Nuk kemi pasur mundësi ta riparojmë, t’i bëjmë shërbim.
Gazetarja: Dhe të gjitha të ardhurat i keni çuar për arsimin e fëmijëve?
Kryefamiljari: Po! Vetëm për këtë punë kemi punuar dhe sa të hamë bukë. Unë kam që në 2002 me gur në veshka.
Gazetarja: Nuk e përballoni dot operimin?
Kryefamiljari: Jo nuk e përballojmë, ishte shtrenjtë, me çfarë ta përballojmë ne? S’kemi lekë me 70 mijë lekë të vjetra ndihma ekonomike s’përballohet dot operacioni./tvklan.al