Shtimi i aksidenteve, Xhika mbledhje me drejtorët rajonalë të rrugëve
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje urgjente me drejtorët rajonalë të rrugëve. Kjo mbledhje vjen në një kohë kur numri i aksidenteve me pasoja fatale në rrugët e Shqipërisë, ka ardhur në rritje.
Në fjalën e tij kreu i ARRSH, tha se ka një tendencë të dukshme nga disa institucione kundrejt këtij autoriteti, si një mënyrë sipas Xhikës, për të larguar vëmendjen ndaj tyre. Duke iu referuar aksidentit të ndodhur një ditë më parë në Velipojë, ku humbën jetën 4 persona, Xhika tha se aksi ku ndodhi aksidenti nuk është në jurisdiskionin e këtij autoriteti, megjithatë, sipas Xhikës, në këtë aks nuk mungon sinjalistika.
Sipas statistikave, tha Xhika, vetëm 4% e aksidenteve rezulton se vijnë si pasojë e sinjalitikës, nga 96%. Në 3 vjet, u shpreh ai, është investuar ndjeshëm në sinjalistikë, mbi 30 milionë dollarë.
Kreu i Autoritetit Rrugor nuk la pa komentuar edhe deklaratën e Kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës mbi mungesën e sinjalistikës, duke i konsideruar këto deklarata si qesharake. Sipas tij, Bashkia e Rrogozhinës ka përfituar më shumë se çdo Bashki tjetër. Xhika tha se janë bërë 6 mbikalime dhe nënkalime në këtë aks, me një vlerë prej 6 miliardë lekë. Sipas kreut të ARRSH, Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë duhet të njohë më mirë procedurën, pasi projektet nuk ndryshohen me dëshirë.
Megjithatë, Xhika pranon se është e nevojshme të ndërhyhet në disa segmente rrugore, por mundësitë financiare, sipas tij, janë të kufizuara. Ai i bëri apel qytetarëve të respektojnë sinjalistikën rrugore, pasi sipas tij është faktor kryesor për sigurinë rrugore./tvklan.al