Shtohet numri i pacientëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”
Tre pacientë të tjerë janë shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” ose COVID 2. Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Ministrja thotë, se ata janë pacientë që më parë kanë qenë shtruar në Spitalin Infektiv.
Në këtë mënyrë numri i pacientëve atje shkon në katër pasi më parë ka qenë shtruar një person.
Ministrja njoftoi se në spitalin COVID 2 janë vendosur edhe pesë respiratorë të rinj, ndërkohë që shton se do të vijojë forcimi i kapaciteteve me pajisje të tjera.
“5 respiratorë e rinj, pjesë e financimit të qeverisë shqiptare prej 54 respiratorësh që po plotësojnë kapacitetet e terapisë intensive, tashmë janë vendosur në punë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku nga mëngjesi i sotëm po trajtohen edhe 3 pacientë të spitalit infektiv të konfirmuar me COVID-19. Vijojmë forcimin e kapaciteteve qeveria vendosi dje financimin edhe të 50 respiratorëve të tjerë për situatën e emergjencës së shkaktuar nga COVID-19”, shkruan ministrja në Facebook./tvklan.al