Shtohet siguria në spitalet e vendit (20 Gusht 2000)


Shtohet siguria në spitalet e vendit (20 Gusht 2000)

15:17 20/08/2000

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka një siguri më të madhe se spitalet e tjera. Këtu një polici private ushtron kontrollin e parë që në portën hyrëse të qendrës. Ngjarja e djeshme në Sanatorium ka rritur më shumë masat e sigurisë në qendrat spitalore të cilat janë të populluara nga pacientët, por dhe të afërmit e tyre.

Një polic privat i spitalit thotë se hyrja e shumtë e njerëzve është një problem. Ai thotë se kushdo që hyn këtu duhet të jetë i shoqëruar me fletë hyrje. Në hyrje të çdo pavioni qëndron një polic i cili shërbën për ruajtjen e qetësisë dhe mbarëvajtjen e hyrje-daljeve. Në rast problemi, policët privatë janë pa armë dhe për çdo shqetësim me anë të radios marrin rajonin i cili u vjen në ndihmë menjëherë.

Posta e policisë së shtetit brenda territorit shërben vetëm për ndërhyrjet emergjente. Nëse një shërbim i tillë do të ekzistonte në Sanatorium dhe ku si polic të mos lihej një i moshuar në pension, të paktën autorët e masakrës do t’a kishin më të vështirë të largoheshin./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme