Parlamenti miraton shtyrjen e Gjendjes së Fatkeqësisë
Ministrat u përgjigjen akuzave të PD për tenderat e situatën
Parlamenti votoi për ta shtyrë edhe për 60 ditë të tjera Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore të shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Por edhe pse mori 91 vota pro një pjesë e përfaqësuesve të opozitës parlamentare ishin kundër kësaj shtyrje.
Ndërsa Myslym Murrizi ndërsa shprehte kundërshtinë e tij ironizoi dhe ndryshimin e raporteve të maxhorancës me kreun e shtetit i cili pas dekretimit të ndryshimeve në kodin penal i cilësoi të domosdoshme amendimet ligjore.
Por Taulant Balla si dëshmi të seriozitetit që paraqet prekja nga Covid-19 iu kërkoi deputetëve të opozitës të komunikojnë me Adriatik Alimadhin, i vetmi deputet që rezulton i prekur deri më tani nga ky virus e që vetëm 2 ditë më parë la spitalin infektiv ku qëndronte prej afro 1 muaji.
Ministri i Rindërtimit dhe ajo e mbrojtjes i kthyen përgjigje akuzave të opozitës brenda dhe jashtë parlamentit për menaxhimin e situatës ekonomike kryesisht.
Edhe gjatë kësaj seance pjesa më e madhe e deputetëve ishin të pajisur me maska dhe doreza dhe qëndruan të ulur në distancë nga njeri-tjetri. Por këto masa nuk u respektuan nga të gjithë. Për këtë kreu i grupit kuvendor socialist propozoi që të ketë një vendim qeverie për mbajtjen e maskave me detyrim në të kundër parlamenti të mos vijojë të mblidhet në seancë.
Tv Klan