Shtyhet gjyqi i firmës Gjallica – (31 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Pezullohet për një muaj procesi gjyqësor ndaj tre ish-bossëve të kompanisë rentierë Gjallica. Avokatët e çështjes kanë kërkuar sot një muaj pushime. Kjo lidhur me sezonin e verës por dhe me ngarkesën e punës me seanca të shpeshta për këtë proces.
Trupi gjykues kryesuar nga Sokol Çomo, ka pranuar kërkesën e avokatëve, duke e lënë seancën tjetër gjyqësore më datë 5 Shtator. Ndërkohë sot avokatët e Shemsie dhe Gani Kadrisë dhe Fitim Gërxhalliut, kanë kërkuar pyetjen e kreditorëve si dëshmitarëve të mbrojtjes.
Të gjithë kreditorët e firmës Gjallica, janë kërkuar të pyeten nga avokatët, por kjo kërkesë ka shkaktuar reagimin e gjyqtarëve dhe prokurorit të çështjes, të cilët e kanë konsideruar të panevojshme dhe të pamundur thirrjen e mbi 70 mijë dëshmitarëve./tvklan.al