Shtyhet më 18 Tetor nisja e vitit akademik
Kushi: Për 1 javë vaksinim në Universitete
Nisja e vitit te ri akademik është shtyrë për në 18 Tetor. Njoftimin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit Evis Kushi me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Ajo thotë se kjo shtyrje do të ketë si qëllim rritjen e nivelit të vaksinimit.
“Me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 Tetor, me qëllim që nga data 11-17 Tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve. Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit”.
Pasaporta e vaksinimit është kusht për çdo student që të mund të ulet në auditore.
Për këtë arsye, Ministria e Arsimit së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do të organizojnë dhe javën e vaksinimit masiv të çdo të riu që do të nisë universitetin në 18 Tetor.
Tv Klan