Shtyhet seanca e Parlamentit?


Shtyhet seanca e Parlamentit?

16:00 20/02/2019

Pak orë përpara mbajtjes së protestës së paralajmëruar nga opozita përpara parlamentit, mazhoranca pritet të marrë një vendim për të shmangur aktet e dhunës, të ngjashme me sulmin e të shtunës ndaj Kryeministrisë.

Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se në këto orë, në Kryesinë e Kuvendit po shqyrtohet mundësia për shtyrjen me disa orë të seancës së ditës së nesërme. Por nuk përjashtohet mundësia që seanca të mos zhvillohet të enjten.

Vendimi mësohet se do të bëhet publik nga vetë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili ka lajmëruar një konferencë për shtyp në orën 17:00 të ditës së sotme.

Në faqen e Parlamentit është publikuar rendi i ditës i seancës, por nuk është e vendosur ora e mbajtjes së saj siç ndodh çdo javë.

Një drejtues i grupit parlamentar socialist i tha televizionit Klan se në këtë situatë kërkohet vetëpërmbajtje.

Tv Klan mëson gjithashtu për një plan të Kuvendit për t’i ofruar opozitës një tryezë dialogu ku të diskutohet mbi kërkesat e saj.

Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Të dyja kërkesat që deri më tani Kryeministri i ka përjashtuar në mënyrë kategorike dhe ato nuk kanë gjetur as mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Ndërhyrjet e ambasadorit të BE dhe të ngarkuarës me punë të SHBA që kanë qenë mjaft aktiv këtë javë me takime si me Kryeministrin ashtu dhe dy kryetarët e partive opozitare. Publikisht ata janë shprehur kundër djegies së mandateve dhe kundër dhunës në protestë.

Tv Klan






Të ngjashme