Shullazi mohon akuzat
Emiljano Shullazi ka mohuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij nga Prokuroria. Për 120 minuta, ai ka dhënë një tjetër version nga ai i biznesmenit Ylvi Beqja, i cili pretendon se është kërcënuar nga Shullazi, për t’i dhënë ish-hotel Vollgën në Durrës.
I pandehuri ka sqaruar se Beqja i kishte kërkuar të ndërmjetësonte për të marrë pronësinë e ish-hotelit, pasi ia kishte bllokuar gjykata dhe nuk e regjistronte dot në hipotekë. Sipas Shullazit, nëse ai arrite ta bënte këtë, Beqja do t’i falte tre hyrje në pallatin që do ndërtohej aty.
Më tej Shullazi tregoi se nuk kishte rënë dakord me këtë ofertë, pas së cilës biznesmeni i kishte premtuar 1 milion e 400 mijë euro. Por duke qenë se pronësia e ish-hotelit ishte në proces gjyqësor dhe Beqja nuk mund ta shiste, i pandehuri tha se mori 700 metra katrorë sipërfaqe nga hotel Vollga.
Madje, ka sqaruar Shullazi, ai e kishte ndihmuar biznesmenin duke i dhënë 100 mijë euro borxh, pasi kishte mbetur pa para. Të gjitha kontratat, sipas Emiljano Shullazit, Beqja i kishte firmosur pa asnjë lloj kërcënimi dhe tek noterja ishin takuar si miq.
I pyetur për kërcënimin e dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, Shullazi ka thënë se nuk i njeh dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë histori. Por kjo, sipas tij, do të zbardhet nga dëshmitarët që janë thirrur për t’u pyetur nga ana e avokatëve të tij.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe për kërcënimin e biznesmenin Adriatik Kërçuku në Lushnje. Ndërsa Jani Zakën ka sqaruar se e ka takuar një herë 5 minuta, për një problem të biznesmenit Fatmir Sinani. Në këtë takim Zaka i kishte thënë se e kishte zgjidhur me një kontratë noteriale.
Tv Klan