Si lindi ideja për maskat Hopla
Sot në programin “Historia ime”, në Tv Klan është folur për projekte shpresëdhënëse, të cilat i kanë shndërruar simbolet e pandemisë në simbole fashion e plot fantazi.
Kjo për të dhënë mesazhe shprese, që jeta mund të jetë e bukur, edhe duke bashkëjetuar me një epidemi të frikshme, siç është COVID. I tillë është projekti “Maskat Hopla Hope”.
Për të folur për këtë çështje, e ftuar në studio ishte drejtuesja e Vizion OJF dhe ideatorja e këtij projekti, Suela Koçibelli.
Mirela Milori: Si të nisi ideja për “Hopla hope and love”?
Suela Koçibelli: Realisht kjo është një nisëm që ka nisur 4 vite më përpara, ku për ne është fuqizimi i gruas pas kësaj. Ne kemi një grup grash që janë nga zona të ndryshme dhe ne mundohemi ti suportojmë, që ato të fuqizohen ekonomikisht. Si nisi nisma aktuale që është maska Hopla? Unë e them gjithmonë, që hopla është dashni. E kemi nisur me kohë dhe ka ngelur, ka një përkujdesje të veçantë nga të gjithë ne. Aktualisht pse nisi? Ka diku 2 javë që ka nisur. Do bënim shpërndarje në terren, s’ka maska, ishim të gjithë vullnetarët tanë në terren që po thoshin: Suela do bëjmë shpërndarje të pakove ushqimore, si do shkojmë? Ishte një periudhë që ishte bllokuar, edhe farmacitë nuk po operonin. Pra nuk kishte maska. Edhe gratë që ne kemi suportuar pa punë, pa të ardhura. Blemë napën, blemë bazën materiale, i furnizuam dhe i thamë të paktën për nevojën tonë të bëjmë disa maska, se vetëm në jemi 40 vetë. U bënë maskat e para, ca më të thjeshta, se sigurisht edhe nga prirja e grave, ca edhe më të bukura, ca edhe spikatën.
Më tej, Koçibelli u shpreh se fillimisht ishte një nismë për të siguruar maska për vullnetarët, por që më pas filluan të porositen edhe nga persona të tjerë, të cilët e pëlqyen shumë këtë ide.
Suela Koçibelli: Ne shpërndamë maskat që ishin për të gjithë vullnetarët nga më të ndryshmet dhe unë vendosa maskën në ditën që po kthehesha nga puna dhe bëra një postim në Facebook. Rangu i parë që reagojnë janë miqtë e tu, që thonë që sa e bukur. Për ne ishte kënaqësi dhe fat që ndër reaguesit e parë ishte dhe zonja Eglantina Gjermeni, me të cilën kemi dhe njohje. E cila ka bërë shumë për gratë në Shqipëri. Ajo ishte e para që reagoi tek maskat dhe tha dua unë një si kjo, dua dhe unë t’ju mbështes, sepse pas kësaj nisme janë gratë artizane, që po e bëjnë këtë punë. Filloi, ne e nisëm për vete dhe kjo kaloi në porosi dhe tani u bënë dy javë që maskat bëhen me porosi për këdo që do ti blejë./tvklan.al