Si ndikojnë temperaturat e ulëta tek zemra
Sëmundjet kardiovaskulare gjithmonë e më shumë po kthehen në një problem shëndetësor që prek edhe moshat e reja. Temperaturat e ulëta ndikojnë në shtimin e infarkteve gjatë periudhës së dimrit. Për të folur për këtë, në studion e “Rudina” ishte i ftuar mjeku kardiolog, Elton Qeli, i cili tha se më të rrezikuar nga ulja e temperaturave janë ata persona që vuajnë nga problemet kardiovaskulare.
“Meqë jemi në hyrje të sezonit të dimrit, sigurisht disa këshilla do të vlenin për pacientët kardiovaskularë kronikë, të cilët vuajnë nga problemet kardiovaskulare. Sigurisht stina e ftohtë, temperaturat e ulëta, përmes disa mekanizmave që ndikojnë në ngushtimin e enëve të gjakut, në krijimin e spazmave në enët e gjakut dhe në rastin konkret të enëve koronare, krijojnë mundësinë për enë ngushtime të herë pas hershme që mund të jetë periodike, por edhe të zgjatura. Kështu që këtyre pacientëve, të cilët kanë probleme kronike me zemrën dhe sidomos koronaropadëve, ne u rekomandojmë që të evitojnë temperaturat e ftohta, sepse janë më të rrezikuar për të zhvilluar atake ankinoze, apo ripërsëritje të sëmundjes së tyre”.
Kardiologu thotë se temperaturat e ulëta janë një faktor rreziku dhe mirë është që të shmangen në këto subjekte./tvklan.al