Si u transmetua vdekja e Enver Hoxhës, gazetarja: Të gjithë ishin të shastisur (Emisioni 18 – Sezoni 1)
Autori: Pamela Jonuzi
15:00 03/05/2009Histori me zhurmues – Viti 1985 ka qenë një vit i ngarkuar, por edhe shumë i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Më 11 Prill të atij viti vdes udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, Enver Hoxha. E ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ishte Zamira Koleci drejtuese e Radio Tiranës, në atë kohë gazetarja që e përcolli në Radio Tirana vdekjen e diktatorit komunist.
“Mua më kujtohet shumë mirë ajo ditë sepse hyra në radio dhe shikoj një mikun tim që në mëngjes kishte ndezur një cigare aty në holl, ai nuk e pinte cigaren. Ai më tha që ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, ka vdekur shoku Enver dhe se duhej të shkoja në mbledhje. Shkova në mbledhje dhe po përpiqeshim të organizonim ceremoninë dhe gjërat që do të transmetonim lidhur me vdekjen e udhëheqësit. Më kujtohet që ishte mbledhur kolegjiumi dhe të gjithë ishin të shastisur, e vetmja gjë që dihej ishte se do të bëhej transmetimi i lajmit në orën 12:00. Gazeta e nxorri lajmin një ditë më vonë dhe ishte vetëm një faqe dhe në formën e një njoftimi. Homazhet u bënë për 5 ditë rresht deri në 08:00 të mbrëmjes dhe më pas trupi i Hoxhës dërgohej në morgun e spitalit ku kishte edhe trupa të tjerë sepse ishte i vetmi morg që kishim. Aty ka qenë e vetmja herë kur Enver Hoxha ka qenë i barabartë me të tjerët. Për mendimin tim njerëzit në diktaturë nuk janë vetvetja. Gjithë Shqipëria erdhi dhe bëri homazhe ato 5 ditë. Ditën që është varrosur Enver Hoxha ka qenë natë e mirë sipas myslimanëve dhe unë atë ditë agjeroja dhe kam bërë transmetim direkt pa pirë ujë”,rrëfeu Koleci.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al