Sinoptikanët: Nesër më pak shira
Shtimi i reshjeve rikthehet të enjten, IGJEUM: Rrezik për përmbytje
Reshjet e shiut prej mesditës së të martës do të pakësohen, duke sjellë një qetësim të situatës në vend. Sipas Qendrës Kombëtare për Parashikim dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, pakësimi i reshjeve do të sjellë ulje të rrezikut për përmbytje në 24 orët e ardhshme.
“Nga parashikimet hidrologjike të IGJEUM, llogaritet një qetësim i përkohshëm i situatës së përmbytjeve përgjatë ditës së martë dhe ditës së mërkurë, me një rikthim të mundshëm të problemeve nga përmbytjet përgjatë ditëve e enjte dhe e premte të kësaj jave”.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në buletinin e ditës së sotme, njofton se gjatë ditës së mërkurë priten reshje mesatare në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe të dobëta në qarqet e tjera. Rreziku i përmbytjeve në këto katër qarqe parashikohet i ulët, ato janë me intensitet mesatar dhe do variojnë nga 15-45 mm shi në 24 orë. Për shkak të reshjeve të së hënës dhe mëngjesit të sotëm, sidomos në Durrës, situata mund të jetë më problematike.
Temperaturat nesër do pësojnë një rritje 1-2 gradë, në krahasim me ditën e sotme, minimalja dhe maksimalja në ajër pritet të arrijnë në bregdet 12/20°C, në vendet e ulëta, 12/21°C, ndërsa në vendet malore 6/12°C.
Klan Plus