Siria, SHBA pezullojnë kontaktet me Rusinë


Siria, SHBA pezullojnë kontaktet me Rusinë

14:00 04/10/2016

Shtetet e Bashkuara pezulluan kontaktet dypalëshe me Rusinë,lidhur me konfliktin në Siri.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se “Shtetet e Bashkuara po pezullojnë pjesëmarrjen e tyre në kanalet dypalëshe me Rusinë, që ishin vendosur për të mbështetur ndërprerjen e luftimeve”. “Nuk është një vendim që u mor lehtë”, tha ai.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërcënoi se do t’u jepej fund bisedimeve me Rusinë për shkak të bombardimeve të saj të vazhdueshme në qytetin sirian të Aleppo.

SHBA, tha Departamenti i Shtetit, nuk kanë kursyer asnjë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes me Rusinë për pakësimin e dhunës, por fatkeqësisht Moska nuk i mbajti angazhimet.

Përkundrazi, thuhej në deklaratën e DASH, Rusia dhe regjimi sirian zgjodhën të ndjekin një kurs ushtarak, siç duket edhe nga shtimi i sulmeve të tyre ndaj zonave civile, ku kanë vënë shënjestër objekte të rëndësishme civile, si spitalet.

Në deklaratë përmendej sulmi i 19 shtatorit ndaj një autokolone humanitare me ndihma./tvklan.al






Të ngjashme