Situata absurde


Situata absurde

23:00 16/05/2020

As të lirë as të “ngujuar”. Rrugët plot, policia vë gjoba

Paradoksale mund të quhet situata, sidomos në ato që u etiketuan si zona të kuqe, me masat e vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Ekziston ende fasha orare 17:30 për t’u mbyllur në shtëpi, si dhe e diela karantinë totale për bizneset. Në fundjavë lëvizja bëhet me turne, paradite të moshuarit dhe më pas prindërit me fëmijë. Këto janë masat në fuqi. Por kjo është situata këtë të shtunë në Tiranë. Një qytet që jeton një ditë mëse normale.

Në rrugë ka trafik makinash, lëvizje njerëzish, pa asnjë distancë dhe mase sigurie dhe tregje të zhurmshëm. Por ndërsa në qytete situata është më kaotike se kurrë, në bregdet, policia mendon të verë më shumë rregull. Të paktët ata që kanë guxuar të dalin në bregun e Gjirit të Lalëzit janë larguar nga policia.

Një ditë më parë një skuadër policie u bë autore e një ndalimi të dhunshëm të një adoleshenti që po lëvizte me biçikletë. Këto janë pamjet që shkaktuan një reagim masiv në rrjet ndaj masave tashmë edhe pa kuptim.Pas këtyre reagimeve, zyrtarët e policisë morën masën e pezullimit nga detyra për njërin nga efektivët që qëlloi ndaj këtij adoleshenti.

Në një kohë kur janë reduktuar ndjeshëm ndëshkimet në rrugë, sheshi i teatrit është kthyer në burim gjobash. Policia njoftoi sot se ka ndëshkuar dhe u ka hequr lejen e drejtimit 46 personave, të cilët qëndronin te godina e teatrit për të cilën është marrë vendim të prishet. Mes tyre është edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe një pjesë e madhe e drejtuesve të kësaj partie që iu bashkuan protestës për teatrin.

Klan Plus






Të ngjashme