Situata e rënduar elektroenergjitike në vend. KESH importon energji – (3 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Brenda pak ditësh Shqipëria do të fillojë importin e energjisë elektrike edhe nga Rusia e Rumania. Drejtori i Korporatës Elektro Energjitike Dritan Prifti, tregon se situata në hidrocentralet e veriut është e njëjtë. Në pellgun ujëmbledhës të Drinit, nuk ka ende shira ndërsa niveli i ujit bie çdo ditë 10-15 cm. E vetmja mundësi për të stabilizuar gjendjen është importi nga Maqedonia, Greqia, tani dhe nga Rusia e Rumania.
Dritan Prifti, Drejtori i KESH:- “Sot Shqipëria merr 3.5 kilovatë orë në ditë nga importi, po kapacitetet tona janë për të marrë 6 milion. Duke filluar nga dita e nesërme, do të fillojmë të kemi sasinë e importuar, deri në kapacitet deri në 6 milion kilovatë orë në ditë”.
Ende pa u stabilizuar gjendja drejtori Prifti, ka filluar të bëjë dhe një analizë paraprake të punës në korporatë. Sipas tij, moseficenca, por edhe korrupsioni, kanë çuar në këtë gjendje, prandaj shumë shpejt do të fillojë reforma, që do të përfshijë, rreth 10% të organikës, së KESH-it në të gjithë vendin.
Dritan Prifti, Drejtori i KESH:- “Shumë shpejt, besoj brenda një dy mujori do të bëjmë një ristrukturim të fortë të korporatës, duke larguar rreth një mijë veta nga puna, duke lehtësuar në këtë mënyrë situatën financiare të korporatës, por gjithashtu nga këta që do të largohen, do largohen ata njerëz që nuk kanë rezultate në punë dhe ata njerëz që dyshohen për korrupsion”./tvklan.al