Situata kriminale, Kryeministri Rama: Nuk ka banda, por rrugeçër


Situata kriminale, Kryeministri Rama: Nuk ka banda, por rrugeçër

12:25 07/09/2018

Kryeministri u është përgjigjur akuzave të opozitës për situatën kriminale në vend. Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama krahasoi me shifra ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë verës që prej vitit 2010.

“Në muajin Gusht në vitin 2010 ka pasur 45 vrasje. Këtë vit Maj-Gusht ka 13, duke përfshirë edhe masakrën e 8 të vrarëve menjëherë nga një i çmendur. Në 2011, 43 me 13. Në 2012, 47 me 13. Në 2013, 36 me 13. Këta që na flasin që krijojnë gjithë këtë zhurmë sikur këtu po ndodh hataja janë këta që kanë drejtuar Ministrinë e Brendshme kur kishte mbi 40 vrasje çdo verë”

, tha Kryeministri.

Ndërsa sa i përket grupeve kriminale që veprojnë në vend, Rama i ka quajtur rrugeçër të cilët tashmë do të duhet të përballen me policinë.

“Ne duhet të vëmë një vijë të kuqe të qartë dhe plot ndriçim në çdo qytet për të gjithë rrugeçërit. Se këtu flitet banda, por këtu kemi të bëjmë me rrugeçër kryesisht. Këta duhet të humbasin përfundimisht autoritetin që kanë në rrugë, që gëzojnë prej shumë e shumë vitesh. Duhet të shqetësohen këta kur dalin nga shtëpia”,

theksoi Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al






Të ngjashme