Situata në hidrocentrale, shënohet niveli më i ulët i prurjeve në Fierzë – (18 Janar 2001)


Situata në hidrocentrale, shënohet niveli më i ulët i prurjeve në Fierzë – (18 Janar 2001)

12:17 18/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Prurjet e dy ditëve të fundit në hidrocentralin e Fierzës janë më të ulëtat e regjistruara në 22 vitet, që kur ka filluar punë ky hidrocentral. Kështu ka deklaruar, për ATSH drejtori i hidrocentralit të Fierzës, Fatmir Musai. Thatësira e tej zgjatur në zonën verilindore të vendit, ndërsa po kalon dhe muaji i dytë i dimrit, ka bërë që prurjet e ujit në liqenin e hidrocentralit të Fierzës të vijnë duke rënë nga dita në ditë.

Sipas burimeve nga salla e komandës së këtij hidrocentrali, sot deri në orën 12 të mesditës, janë regjistruar këta tregues. Prurjet 75 metra kub në sekondë, niveli i ujërave të liqenit të Fierzës, 253.38 metra mbi nivelin e detit. Në 48 orët e fundit, niveli i ujërave ka zbritur me shpejtësi edhe pse në këtë hidrocentral punonin vetëm një ose dy agregat, shprehet përgjegjësi i zyrës së industrisë në prefekturën e Kukësit, Qemal Parllaku.

Hidrocentrali i Fierzës, shërben si rregullator edhe për hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, të ngritur mbi kaskadën e Drinit. Niveli maksimal i projektuar i këtij liqeni është 296 metra mbi nivelin e detit, ndërsa niveli minimal është 243 metra./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme