Situata në Maqedoni, vazhdojnë luftimet në Tetovë – (18 Mars 2001)


Situata në Maqedoni, vazhdojnë luftimet në Tetovë – (18 Mars 2001)

14:02 18/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Krismat e armëve që po ushtojnë prej disa ditësh në Tetovë, kanë rritur alarmin për një destabilizim të Maqedonisë, gjë që do të ishte me pasoja për tërë rajonin. Aksionet e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë, po fitojnë çdo ditë e më shumë përkrahjen e popullsisë shqiptare, e cila po bindet që gjuha e armëve qenka më efikase, për të arritur të drejtat e mohuara, sesa 10 vjet tentativa në rrugë paqësore.

Nga ana tjetër qeveria maqedonase, ndodhet përballë një situate të vështirë, jo vetëm në raport me fqinjët, por dhe për faktin se forcat e saj të armatosura nuk do të ishin kurrë në gjendje të përballonin një luftë guerrile. E ndërsa presioni po rritet, qeverisë së Gjeorgjevskit vazhdon t’i mungojë sinqeriteti dhe kurajo për të pranuar, se shkak i krizës nuk janë luftëtarët shqiptarë, por politika diskriminuese e ndjekur dhjetëra vite ndaj shqiptarëve, që jetojnë në trojet e tyre.

Një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar i ka dënuar ashpër sulmet në Maqedoni, por për këtë asnjëherë nuk ia ka vënë fajin vetëm palës shqiptare. Mos ndërhyrja deri tani e NATO-s shpjegohet me faktin se ajo jo vetëm nuk dëshiron të ketë viktima në radhët e paqeruajtësve, por aleatët nuk duan të marrin anën e ndonjë pale në konflikt./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme