Situata nga koronavirusi, flet gazetarja nga Kina


Situata nga koronavirusi, flet gazetarja nga Kina

14:33 29/01/2020

“Kinezët nuk janë në panik”

Koronavirusi i ri ka tronditur botën. Wuhan është qyteti ku u shfaq për herë të parë gjatë muajit Dhjetor virusi që mund të çojë deri në humbje jete. Më pas u përhap në disa qytete të tjera të Kinës, por edhe në disa shtete.  

Koronavirusi është përhapur në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Kanada. Kina brenda një kohe të shkurtër është duke ngritur në Wuhan spitalin ku do të ketë 1,000 shtretër dhe do të trajtojë pacientët me koronavirus.

Në lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Historia ime” në Tv Klan ishte gazetarja nga “China Media Group”, Zhang Yan, e cila ka raportuar për situatën në Kinë.

Mirela Milori: Çfarë po ndodh? Si është situata në Kinë?

Zhang Yan: Epidemia vazhdon të përhapet në Kinë. Deri në mesditën e të mërkurës sipas orës së Pekinit, numri i të prekurve në total i kaloi 6000 duke sjellë 132 viktima. Ndërsa u regjistruan edhe mbi 110 të shëruar.

Mirela Milori: Çfarë masash janë marrë derit tani?

Zhang Yan: Masat mund të themi se po merren në tre anët. Përkatësisht janë mjekimi i pacientëve në spitale të veçanta, izolimi i të dyshuarve, gjithashtu pakësimi i lëvizjeve masive njerëzore. Banorët po këshillohen të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, nëse do dalin duhet të veshin maska. Kontrolli i temperaturës po bëhet në çdo stacion metroje dhe stacion hekurudhor, aeroporte, porte. Gjithashtu janë ndërprerë dhe disa linja transporti publik, në qytete të ndryshme. Dy spitale të veçanta që trajtojnë sëmundje respiratore pritet të përurohen brenda një jave, duke ofruar mbi 2000 shtretër për pacientët përkatës.

Mirela Milori: Cilat janë shkaqet e virusit?

Zhang Yan: Për shkarkimin e mundshëm nga laboratori, besoj se nuk ka ndodhur një dëshmi që nuk e vërteton këtë. Ndërsa për arsyen e dytë, shkencëtarët kanë zbuluar viruset në pazar, në një treg ku kishte qenë edhe tregëtimi i kafshëve të egra. Kështu që ka mundësi që virusi erdhi për herë të parë në këtë treg.

Mirela Milori: A po punohet për vaksinën? Në çfarë faze është ecuria e punës për të gjetur vaksinën për virusin?

Zhang Yan: Pas shpërthimit të epidemisë shkencëtarët kinezë kanë shpejtuar studimet për këtë virus. Siç ju e dini brenda 8 ditësh, shkencëtarët kinezë kanë zbuluar renditjen gjenetike të këtij virusi. Gjë që ka ndihmuar shkencëtarët e vendeve të tjera për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Kështu mesa di unë, ata që janë gjetur të prekur në vendet e tjera, nuk kanë dalë viktima. Kanë gjetur raste të prekur dhe raste të shëruar. Por prapë se prapë na duhet dhe dy muaj sepse një vaksinë për përdorim masiv duhet të kalojë shqyrtim dhe testim shumë të rreptë. Për të siguruar që të jetë 100 përqind e sigurt për trupin. Kështu që duhet të kalojnë edhe të paktën dy muaj që të kemi vaksinën përfundimtare.

Mirela Milori: A ka situatë paniku? Si po përjetohet në Kinë kjo situatë e krijuar?

Zhang Yan: Mund t’ju them se kinezët nuk janë në panik dhe qytetarët në Wuhan nuk janë në panik asnjëherë. Po vetëm se miliona njerëz janë duke pritur në shtëpi, duke kaluar periudhën e inkubacionit. Pas kësaj periudhe, ata që verifikohen se nuk janë prekur, mund të dalin dhe të lëvizin. Tani duhet kohë dhe durim.

Mirela Milori: Sa mund të zgjasë gjithë kjo situatë?

Zhang Yan: Kjo ka burime të ndryshme informacioni. Disa shkencëtarë thonë se mund të shohim kthesë në 1 ose 2 javë, se tani po gjendemi në kulmin e infektimit. Disa mijëra të dyshuar tani janë në izolim. Numri i të prekurve do vazhdojë të rritet pa dyshim, por nëse pacientët shtrohen në spitale të veçanta dhe marrin analizën përfundimtare diagnostifikuese, edhe izolohen besoj se të tjerët që janë pa prekur janë të sigurt./tvklan.al






Të ngjashme