Situata politike pas referendumit
Pas referendumit të djeshëm në Maqedoni, kur të dyja palët pretendojnë se kanë fituar, analistët vlerësojnë se tani beteja do të zhvillohet në parlament: Kryeministri Zaev do të duhet të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare për kalimin e ndryshimeve kushtetuese, konform Marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, ose në të kundërtën – zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Në debatin e zhvilluar në Studion e Hapur në Klan Maqedoni, të kolegut Seladin Xhezairi, është folur për zhvillimet e pritshme pas ditës së djeshme. Analistët nuk përjashtojnë mundësinë e një krize të re politike.
Analisti politik Imer Selmani vlerëson se tashmë partitë politike në Maqedoni duhet të zbatojnë vullnetin e popullit të shprehur në referendumin e djeshëm. Është e paqartë, thotë ai, nëse kjo do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski tashmë e bëri publike vendimin e partisë së tij; Referendumi është i pasuksesshëm dhe se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë. Analisti Xhelal Neziri vlerëson se ka shumë pak gjasa se kjo parti të futet në debate për ndryshimet kushtetuese.
Profesori universitar Milaim Fetai vlerëson se opozita do të inicojë krizë të re politike me qëllim që të pengojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe siç thotë për të arritur qëllimet e saj.
Ish-deputeti i Kuvendit të Maqedonisë Naser Zyberi është i mendimit se do të ketë nevojë për një ndërmjetësim më të theksuar të faktorit ndërkombëtar, që pozita dhe opozita në Maqedoni t’i harmonizojnë qëndrimet rreth ndryshimeve kushtetuese.
Pas referendumit ka dy opsione, siç paralajmëroi Kryeministri Zaev, për implementimin e Marrëveshjes me Greqin, kurse njohësit e rrethanave politike nuk përjashtojnë asnjërën. E para është miratimi i ndryhsimeve kushtetuese në parlament, për çka do të duhet të votojnë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së, dhe në qoftë se nuk ndodh kjo opisoni i dytë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Klan Maqedoni