Situatë e rënduar e hidrocentraleve në veri të vendit – (19 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Vazhdon situata e rëndë elektroenergjetike në hidrocentralet në veri të vendit. Ndërkohë që prurjet në liqenin e hidrocentralit të Fierzës, janë më të paktat e 22 viteve të fundit. E njëjtë është situata edhe në hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, ku prurjet vinë duke rënë nga dita në ditë. Aktualisht niveli i ujërave të liqenit të hidrocentralit të Komanit është 169.60 metra, nga 175 metra që është kuota maksimale e tij.
Ndërkohë sipas burimeve nga salla e komandimeve të hidrocentralit të Vaut të Dejës, prurjet në liqenin e këtij hidrocentrali në mesditë janë 30 metra kub ujë në sekondë. Kuota e liqenit të këtij hidrocentrali është aktualisht 72.80 metra, nga 76 metra që është niveli maksimal i tij. Gjatë paradites, në këto hidrocentrale nuk ka punuar asnjë agregat.
Pakësimi i prurjeve të ujit në rezervuaret e hidrocentraleve të ndërtuara mbi lumin Drin, ka bërë që në tre rrethet e prefekturës së Shkodrës, të ketë ndërprerje të energjisë elektrike deri në pesë orë në ditë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame