S’ka më tolerim, Balluku flet për masat ndaj koncesionarit
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një deklaratë për shtyp tha se kishte kërkuar takim me drejtuesit më të lartë të koncesionarit të Rinasit.
“Unë kam kërkuar që në Tiranë të vijnë urgjent përfaqësuesit më të lartë të Everbright, të cilët do t’i takoj sot pasdite dhe do t’i kërkoj atyre një sërë ndërhyrjesh që duhet të plotësohen në kohë rekord. Kjo është një bisedë që ne do bëjmë sëbashku pas takimit që do të kem me Presidentin e Everbright. Situata nuk më lejon që të ulem më me management-in e TIA-s. Management i TIA-s ka treguar haptaz mungesë profesionalizmi, minimalisht. Kështu që Presidenti i Everbight do të jetë sot në Tiranë, unë do të kem një takim me të dhe do t’ju komunikoj më pas”.
Balluku tha më tej se koha e tolerimit për koncesionarin ka mbaruar. Ajo u shpreh se duke filluar nga sot, Aeroporti i Rinasit duhet të përmbushë të gjitha kushtet dhe parametrat e sigurisë. Duke e akuzuar koncesionarin kinez se ka përdhosur imazhin e Aeroportit të Rinasit, Ministrja paralajmëroi gjithashtu ndryshim të cilësisë së shërbimit në këtë aeroport.
“Koha ka mbaruar për të vazhduar dhe për të toleruar koncesionarin kinez që të ndërtojë parkingje dhe të mos investojë për të mbrojtur territorin e aeroportit dhe si rrjedhojë të cënojë sigurinë kombëtare. Duke filluar që sot, Aeroporti i Rinasit duhet të përmbushë të gjitha kushtet dhe parametrat e sigurisë. Kjo është një kërkesë që nuk do të tolerohet më. Dhe e dyta, cilësia në Aeroporti i Rinasit do të ndryshojë sepse ka ardhur koha për ta ndryshuar dhe të mbarojë koha e koncesionarit që po loz me një kontratë koncesionare duke pasur në dorë një objekt që prek çdo shqiptar. Është hyrja nga kushdo i huaj futet në Shqipëri. Është dera nga ku hyjmë e dalim për të kontaktuar botën dhe është përdhosur dhe dhunuar kjo derë, fatkeqësisht nga koncesionari”./tvklan.al