Skadon nesër afati i regjistrimit të partive në zgjedhje


Skadon nesër afati i regjistrimit të partive në zgjedhje

15:20 09/04/2017 https://youtu.be/4nEeSMGVpoE

Afati i regjistrimit të subjekteve politike në zgjedhjet e 18 qershorit skadon mesnatën e së hënës. Pas kësaj, sipas kodit zgjedhor, asnjë subjekt që nuk ka paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për të qenë pjesë e procesit, nuk do të mund të jetë në garë.

 Afati përfundon këtë të diel, por sipas nenit 125 të kodit zgjedhor, ai shtyhet kur bie në ditën e pushimeve apo festave zyrtare. 

 Deri më tani, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 31 subjekte politike, përfshirë Partine Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

 Nga kampi opozitar nuk është regjistruar asnjë subjekt.

 Partitë e opozitës i dërguan një shkrese zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në fillim të marsit përmes të cilës e njoftonin se nuk do të paraqesin kërkesë për t’u regjistruar.

 Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Denar Biba është shprehur në shtypin e shkuar se ai do të ishte pro shtyrjes deri më 19 prill të afatit të regjistrimit, një variant ky i refuzuar nga opozita.

 Ky është edhe afati i regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore.

 Edhe LSI ka deklaruar se nuk do të pranojë të bëhet pjesë e procesit pa opozitën. Një vendim i tille do të sillte edhe bllokimin e punës së KQZ, pasi LSI ka një anëtar në Komision dhe tërheqja e tij bashkë me 3 anëtarët e propozuar nga opozita do ta linte këtë organ me 3 anëtarë, të paaftë për të marrë ligjërisht vendime mbi zgjedhjet, për të cilat duhet një shumicë prej 4 votash./ TV KLAN

 

 

 






Të ngjashme