Skandal! “T’i këpus të dy duart”, polici dhunon fizikisht gazetaren e “STOP”
Një ditë më parë, emisioni ‘STOP” transmetoi rastin e Shefit të Rendit në Ballsh, Klodian Caushaj, i cili dhunonte një qytetar të pafajshëm, duke e bërë për spital. Sot struktura përkatëse në Ministrinë e Brendshme e ka çuar çështjen në Prokurori. Ndërsa Drejtoria e Standarteve në Policinë e Shtetit, ka nisur verifikimin e rastit, për të nxjerrë përgjegjësitë.
Ndërkaq, një tjetër rast dhune është shënuar nga ana e uniformave të policisë. Polici, i cili ruan Institutin e Fizikës Bërthamore dhunon fizikisht grupin e xhirimit të emisionit “STOP”, ndërsa gazetarja dhe operatori ishin në detyrë. Edhe pse iu kërkua korrektesë në sjellje, polici fyen, dhunon dhe kërcënon përfaqësuesit e medias. Gazetarja e emisionit “STOP” shprehet se i është drejtuar Institutit të Fizikës Bërthamore për të lënë një takim me Drejtorin e këtij institucioni, por u ndesh me dhunën verbale dhe fizike të policit që ruan këtë objekt. Gazetarja – Mund të ma thuash pak me ton më normal? Polici – Dil atje përjashta! Zbato urdhrin tim! A do të dalësh përjashta, me të mirë apo ...? Gazetarja – Më fal, kush jeni? Me kë po komunikoj? Polici – Me punonjësin e Policisë së Shtetit. Ai që ruan këtëëëëëë... Gazetarja – A mund të pyesësh pak si njeri se për çfarë kam ardhur? Polici – Dil atje përjashta, të jap urdhër brenda rregullit, jo me hy me forcë. Gazetarja – Brenda kujt rregulli? Polici – Dil aty! Gazetarja – Ma trego pak rregulloren, të lutem! Polici – Do dalësh përjashta... Gazetarja njofton policinë dhe përballet me policin që e dhunoi. Polici – Në institucion... t’i këpus të dy duart... Gazetarja – Nuk ke asnjë lloj të drejte... Ku e kishe kapelen? Polici – Leje moj kapelen, s’mbaj kapele në institucion unë. Gazetarja – Çfarë do më bësh ti mua? Do më këpusësh duart? Është kërcënim ky? Polici – Po hyre atje po, është institucion shteti. Gazetarja – Kush je ti që më vë mua dorë? Polici – Do të hedh në gjyq ty dhe ata që janë më të fortë. Gazetarja – Të hedh unë më para në gjyq. Gazetarja e emisionit “STOP” rrëfen se polici dukej në gjendje të dehur, pasi i vinte era alkool./tvklan.al