Skandali i gjyqtarit, Manjani: E papranueshme, do të pezullohet


Skandali i gjyqtarit, Manjani: E papranueshme, do të pezullohet

10:54 28/10/2016

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një prononcim për gazetarët konfirmoi se ka kërkuar pezullimin e kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili një natë më parë shfaqej duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një çështje gjyqësore, një audio regjistrim ky i publikuar në emisionin investigativ “STOP”, që transmetohet në Televizionin Klan.

Manjani tha se ky gjyqtar ka cënuar rëndë imazhin e gjykatës dhe do të kërkojë pezullimin e tij, pasi nuk mund të jetë më pjesë e sistemit të Drejtësisë. Ai tha se do të jetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë që do të veprojë për këtë rast. Manjani falenderoi mediat për punën e tyre dhe kërkoi që të vijojnë të denoncojnë raste të tilla.

“Falenderoj mediat sepse ju konsideroj parnerët e mi, të Ministrit dhe KLD për të denoncuar sa më shumë raste të tilla. Shpresoj mos ketë shumë. Nëse ka denoncime do të veprojmë siç duhet”.

Manjani theksoi rëndësinë e zbatimit sa më parë të Reformës në Drejtësi, si e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin tek gjykatat në vend.

“Ne kemi shprehur vullnetin politik në parlament për të trasformuar sistemin gjyqësor. Në këtë pikë nuk ka kthim mbrapa. Shpejtësia me të cilën duhet të fillojë zbatimi i Reformës në Drejtësi është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Shqipërisë, që të rifitojnë besimin tek gjykata. Nuk jemi ende në rrugën e duhur dhe shpejtësia në zbatimin e Reformës duhet të jetë sa më i shpejtë”./

tvklan.al






Të ngjashme