Skandali me barnat e rimbursueshme, vetëm 2 nga 7 të pandehurit u mbajtën në burg
Gjykata e Tiranës, dënoi 7 të pandehurit e parë të skandalit me ilaçet e rimbursueshme. Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor në aplikim të gjykimit të shkurtuar, vendosi që vetëm dy nga 7 të pandehurit të qëndrojnë në burg, të tjerët u liruan për të mbajtur kontakte me shërbimin e provës.
Sipas vendimit, përfundimisht me 4 vjet burg u dënua për akuzën e “mashtrimit” dhe “falsifikimit” i pandehuri Hysni Roçi, pronari i 5 farmacive që falsifikonin receta për ilaçet e rimbursueshme. Fatbardh Budo ish-punonjës i Fondit të Rimbursimeve, i cili kishte për detyrë verifikimin e këtyre farmacive, u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Për të tjerët, gjykata urdhëroi lirimin nga qelia duke i dënuar me kusht që të mbajnë kontakt me punonjësit e shërbimit të provës. Për ish-Drejtorin e Drejtorisë rajonale të ISKSH-së Pjerin Xhuvani, gjykata vendosi që për 2 vite e gjysmë të jetë nën vëzhgimin e Shërbimit të Provës edhe pse e gjeti fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.
Të 7 të pandehurit, u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme kanë shpërdoruar detyrën, falsifikuar dokumente dhe mashtruar me receta të ilaçeve të rimbursueshme në vlerën e 56 milionë lekëve.
Tv Klan