Pezullohet gjyqtarja e denoncuar në “STOP”


Pezullohet gjyqtarja e denoncuar në “STOP”

12:43 03/02/2017

Pas nisjes së hetimeve për korrupsion ndaj gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu me kërkesë të Prokurorisë Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur pezullimin nga detyra të saj.

Gjyqtarja u denoncua në emisionin investigativ “STOP”, në Televizionin Klan, ku u transmetua një material filmik, ku gjyqtarja merr dy mijë euro për të nxjerrë një të burgosur nga paraburgimi.

Rolin e sekseri në këtë histori e kishte oficeri i Burgjeve, Behar Kola, i cili u arrestua nga policia. Ai u la në qeli këtë të premte nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku u vendos masa e sigurisë arrest me burg.

Në videoregjistrim, gjyqtarja merr përsipër “ta rregullojë” edhe me prokuroren, që kjo e fundit të mos bëjë rekurs. Për këtë qytetarit i kërkohen edhe 1500 euro nga sekseri Behar Kola.

Pas marrjes së parave nga oficeri, gjyqtarja Pajtime Fetahu i jep garanci familjarëve të të dënuarit se gjithçka do të shkojë në favor të tyre. Në fund i dënuari lirohet nga burgu, pasi familjarët kanë paguar 3500 euro në total.

Tv Klan






Të ngjashme