Skandali! Parlamenti kërkon të miratojë një ligj organik pa hyrë në fuqi Kushtetuta
Skandal me parlamentin shqiptar.
Institucioni ligjvënës kërkon të miratojë një ligj organik, përpara se të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, nga të cilat rrjedh vetë ligji. Bëhet fjalë për Ligjin për Vetingun, pjesë e paketës së ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Këto ndryshime u miratuan të hënën me konsensus, u dekretuan nga Presidenti i Republikës, por për të marrë fuqi do të duhet të kalojnë 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare. Pavarësisht këtyre procedurave kushtetuese, ekspertë të EURALIUS e OPDAT kanë kërkuar që ligji të kalojë brenda javës. Kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj tha se opozita është njohur që në datën 4 Korrik me këtë projektligj dhe se Kuvendi mund të mblidhet për ta kaluar atë. Por Nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, në një intervistë përABC News,
e cilësoi miratimin e Ligjit të Vetingut në seancën plenare të së enjtes, provokim nga ana e socialistëve dhe se kjo procedurë që kërkon të ndjekë Kryetari Xhafaj është e pamundur nga ana proceduriale dhe se as LSI nuk do t’u bashkohet socialistëve në këtë procedurë. Këtë qëndrim të demokratëve, Xhafaj e cilësoi prishje të konsensusit nga ana e tyre. Kjo situatë ka bërë që Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të ndërpresë vizitën në Shtetet e Bashkuara. Përmes një njoftimi të shpërndarë nga Zyra për Shtyp, pranë kreut të parlamentit, thuhet se:“z. Ilir Meta, ndërpret vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditëve të fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 Korrikut për Reformën në Drejtësi.”
Fatmir Xhafaj ia faturoi opozitës kthimin e parakohshëm të Metës nga SHBA. Një ditë më parë, Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetjet sociale, paralajmëroi se ata që patën kundërshti për reformën, do të rezistonin në çdo hap për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e saj. Tv Klan