Skandali “Russiagate” merr një kthese të rëndësishme


Skandali “Russiagate” merr një kthese të rëndësishme

15:31 15/09/2018

Pas muajsh të tërë beteja ligjore për të provuar pafajësinë e tij, Paul Manafort, u dorëzua dhe pranoi përfshirjen e tij në skandalin “Russiagate”, ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Ish-shefi i fushatës elektorale të Donald Trump, pranoi të bashkëpunojë me ekipin e prokurorit speciale Robert Mueller. 11 janë veprat penale që rëndojnë mbi 69-vjeçarin, mes tyre, konspiracion ndaj Shteteve të Bashkuara dhe manipulim i dëshmitarëve për t’iu shmangur drejtësisë.

Manafort rrezikonte deri në 12 vjet burg. Tashmë në një pozicion më të lehtësuar si bashkëpunëtor i Departamentit të Drejtësisë, ai mund të vuajë deri në 5 vjet heqje lirie, por gjithçka do të varet nga informacionet që do të japë te prokurori Mueller.

Paul Manafort është i pari njeri i afërt i Donald Trump, që pranon të bashkëpunojë me drejtësinë, duke i dhënë një kthesë të rëndësishëm hetimit për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Vendimi i tij për të pranuar një marrëveshje me prokurorin special Mueller, vjen pak ditë pasi presidenti Donald Trump e kishte quajtur Manfortin një njeri të guximshëm që nuk do të sajojë histori për të përfituar ulje të dënimit.

Presidenti amerikan e ka quajtur skandalin Russiagate një gjueti shtrigash dhe është përplasur shpeshherë me Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions duke i kërkuar mbylljen e hetimeve.

Tv Klan






Të ngjashme