Skënder Gjinushi dhe Jozefina Topalli intervistë (21 Janar 1999)


Skënder Gjinushi dhe Jozefina Topalli intervistë (21 Janar 1999)

15:57 21/01/1999

Intervistë me Kryetarin e Kuvendit, Skënder Gjinushin dhe Jozefina Topallin për dorëheqjen e Kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nanos.

Skënder Gjinushi: “Sigurisht është ende e paqartë në çfarë mase është bërë kjo dorëheqje, sepse z.Nano e ka deklaruar largimin e përkohshëm si kryetar i Partisë Socialiste. Dorëheqja kuptohet që është një e drejtë e individit, megjithatë dorëheqja e një kryetari të një partie dhe partisë më të madhe të mazhorancës patjetër që le të komentohet dhe në anë të tjera. Vlerësoj, largimi nga politika është i parakohëshëm. Nano duhet të luajë akoma rol në politikën shqiptare dhe në Partinë Socialiste. Vlerësoj që kjo s’ka për të prekur koalicionin, që tashmë ka mbështetjen e plotë si në Kuvend edhe në elektorat. Megjithatë, sigurisht që kjo do të ketë ndikimet e veta, zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe në tërësi në zhvillimin e të majtës shqiptare dhe vetëm në rast të daljes së një kryetari të ri, i cili nëqoftëse do të dëshironte të dilte me një platformë të re vetëm atëherë mund të shtrohej problemi i hyrjes ose jo në zgjedhje. Tani Berishës nuk i jep dorë kjo, sepse Berisha e kupton mirë tani se pas dorëheqjes së Nanos. Kur largohet ai që s’ishte faktor kryesor patjetër që duhet të largohet ai që është kryesori dhe që ka qënë gjithmonë burim i konflikteve. Pra Berisha nuk duhet të gëzojë shumë. Dua t’i kujtoj shprehjen e vet. E majta e bashkuar vlerësoj që është një domosdoshmëri, ajo ka shumë forma vetë koalicioni i sotëm që dominohet nga e majta, pra e majta është forca kryesore. Tregon që ne jemi në prag të majtës së bashkuar. Pra do të thoja që marrëdhëniet PS-PSD, forcimi i lidhjeve PS-PSD është domosdoshmëri.”


Jozefina Topalli: “Ajo që të bën përshtypje në deklaratën e Nanos është
cinizmi i tij, por në mënyre të veçantë analiza që i bën veprimtarisë, filozofisë së tij dhe operimit mbi bazë të kësaj filozofie gjatë këtyre 8 mujoreve duke e përcaktuar punën e tij si një veprimtari titanike por që për çudi të atyre që e dëgjojnë përfundonte dhe konkludonte në një parti ku ekziston ndarje emocionale dhe klanore, në një parti ku kishte funksionuar një lojë mizerabel interesash klanore janë fjalët e Nanos. Mbi të gjitha këto janë konkluzione të deklaratës së Nanos që të bën të mendojmë në fakt për një çarje të madhe, për një krizë të Partisë Socialiste, të bën të konkludosh se vërtet kjo deklaratë përveç konseguencave politike të largimit të Nanos, shkon përtej këtij largimi dhe të zëvëndësimit të vendit të Kryetarit të drejtuesit të Partisë Socialiste, por të bën të mendosh vërtet, të jepet një arsye më shumë për të menduar se vërtet kjo mazhorancë, koalicioni për shtetin është në fund të mandatit të tij dhe që e vetmja gjë e mundshme për të ndryshuar dhe për t’i kthyer dinjitetin këtij populli dhe këtij vendi është një zgjidhje tjetër politike.”
/tvklan.al






Të ngjashme