Skënderbeu “fluturon” drejt titullit


Skënderbeu “fluturon” drejt titullit

06:07 06/02/2018

Java e 18 e Superligës shënoi edhe mbylljen e fazës së dytë. Në po të njëjtën periudhë të sezonit të shkuar kampionati kryesohej nga Kukësi me 36 pikë i ndjekur nga Partizani me një me pak, ndërsa Skënderbeu kishte 32 pikë në vendin e tretë.

Sezoni aktual sheh korçarët që vrapojnë drejt titullit me 40 pikë, 8 më shumë se vendi i dytë Flamurtari dhe 11 me shumë se Kukësi në vend të tretë.

Surprizë këtë sezon është Laçi që gjendet në vendin e 4 me 28 pikë. Një vit më parë, kishin 14 dhe gjendeshin shumë pranë zonës së rënies.

Kamza e rikthyer këtë sezon në Superligë gjendet në mesin e tabelës. Humbja me Partizanin në javën e fundit të fazës së dytë i kushtoi vendin e 5. Ekipi i Ramadan Ndreut është në pozicion jo të favorshëm pasi ka vetëm 3 pikë më shumë se Luftëtari. Gjirokastritët që sezonin e shkuar në fund të dy fazave ishin në vend të katër tashmë okupojnë të shtatin.

Sa për pikët këtë sezon kanë vetëm një më shumë. Në pozicion të vështirë këtë sezon është Vllaznia që po sforcohet për të dalë nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria. Sezonin e shkuar shpëtoi vetëm në javën e fundit në barazimin pa gola me Tiranën. 

Statistikat do t’i lënë vendin shumë shpejt ndeshjeve të radhës. Në rast fitoreje me Flamurtarin Skënderbeu do të shtonte edhe më shumë distancën me vendin e dytë dhe ndoshta do të bëhej i pakapshëm.

Tv Klan






Të ngjashme