Skënderbeu hedh poshtë dokumentin e “Federbet”: “Nuk u dënuam për trukim, por për dyshime”
Klubi i futbollit Skënderbeu ka hedhur aludimet e bëra në media pas publikimit të një dokumenti të dalë nga zyrat e UEFA-s. Klubi korçar thotë se me vëndimin e KAS-it është mbyllur përfundimisht historia e dënimit.
Kampionët në fuqi thonë se nuk janë dënuar për trukim, por për shkak të dyshimeve të ngritura, pasi në rastin e parë përjashtimi është 5 vjet dhe jo 1 vit.
Për dokumentin në fjalë, Skënderbeu thotë se nuk është i UEFA-s, dosja e ‘Federbet’-it, kompania e kontraktuar nga UEFA për të ndërtuar dosjen e akuzës.
Sipas Skënderbeut, ai raport nuk është asgjë tjetër veçse dosja e ‘prokurorit’ të çështjes.
“Dosja e akuzës jo detyrimisht mbart të vërteta brenda saj. Asnjë nga ato që janë shkruar në akuzë nuk janë faktuar me dëshmi ose prova konkrete nga komisionet përkatëse të UEFA-s dhe diçka të tillë e vërteton dënimi vetëm për një sezon”
–thuhet në reagimin e korçarëve, që nënvizojnë se nuk kanë asnjë dosje të hapur.
Në fund, Skënderbeu thotë se ky sulm mediatik ishte i pritshëm nga klubi i tyre prej muajsh.
Për këtë dokument ka reaguar edhe Federata Shqipatre e Futbollit, që thotë se i vetmi dokument që pret është ai i gjykatës së Lozanës, i cili nuk është zbardhur ende, duke dënuar aludimet për njollosjen e futbollit shqiptar.
Sipas dokumentit të publikuar, Skënderbeu ka ndikuar në rezultatin e 41 ndeshjeve të Superligës, 5 ndeshje të Ligës së Kampionëve, 2 të Europa Ligës dhe të 6 takimeve miqësore.
Tv Klan