Skënderbeu humb miqësoren me Rijeka
Andrea Agostinelli e nisi me humbje punën e tij te Skënderbeu. Ekipi kampion i Shqipërisë u mund me rezultatin 2 – 1 nga skuadra kroate Rijeka në miqësoren e zhvilluar në Austri, ku të dy ekipet po zhvillojnë fazën përgatitore.
Formacioni titullar i Skënderbeut kishte edhe dy blerjet e reja Hektor Idrizajn dhe Masato Fukui. Pjesa e parë nuk ishte më e mira për korçarët që pësuan dy gola breda 20 minutave të para.
Më i miri në fushë për skuadrën shqiptare gjatë pjesës së parë ishte nigeriani James, autor edhe i golit në minutën e 35’. Ndryshimet në pjesën e dytë i kthyen korçarët më kërkues, por pa arritur të shënojë përsëri.
Skënderbeu po përgatitet për pjesëmarrjen në turin e dytë të Champions League ku e pret ekipi hungarez Ferencvaros. Megjithatë më parë duhet të mësojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës ku është ankimuar për ndëshkimin e dhënë nga komisionet e UEFA-s që e përjashtojnë për 1 vit nga kupat e Europës për shkak se akuzohet për trukim ndeshjesh. /TV KLAN