Skënderbeu përqendrohet tek Kupa e Shqipërisë
Skënderbeu kërkon me ngulm një tjetër titull kampion, por të enjten në orën 19:00 Ilir Daja duhet të fokusohet te ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Teutën.
Gjysmëfinalja e parë do të luhet në Korçë, megjithatë trajneri i Skënderbeut nuk mendon se mbyllet gjithçka me 90 minuta.
Ilir Daja (Trajner i Skënderbeut): “Mendoj që kupa do të zgjidhet pas 180 minutash, por ne duhet të hedhim një hap të sigurt në mënyrë që ndeshjen e kthimit ta kemi pak më të lehtë. Kupa është një trofe i rëndësishëm edhe pse kryesor është kampionati.”
Ilir Daja pritet t’i besojë të njëjtit formacion si me Partizanin, pak ditë më parë në kampionat.
Ilir Daja (Trajner i Skënderbeut): “Mendoj që formacioni më i mirë për momentin është ai që luajti me Partizanin dhe me shumë mundësi do të jetë edhe në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.”
Trajneri i Skënderbeut mendon se skuadra luajti mirë ndaj të kuqve, një lojë që duhet treguar edhe me rivalët e tjerë. Ekipi korçar, më i suksesshmi gjatë viteve të fundit në Superligë, nuk e kanë fituar asnjëherë më parë Kupën e Shqipërisë.
Tv Klan