
“Skënderbeu” vjen në Tiranë (Video)
Xhevat Limani është padyshim një nga figurat më të rëndësishme të artit në trevat shqiptare të Maqedonisë. Ai është aktor e regjisor dhe rrugëtimi i tij artistik është i lidhur ngushtë me promovimin e shqiptarizimit në mbarë botën. Limani ka luajtur mbi 100 projekte teatrore dhe mbi 7000 shfaqje në 50 vende të botës.
Pas një tentative të dështuar të tij në skenën e teatrit në vitin 2002, ai do të merrte rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tashmë ka krijuar teatrin shqiptar.
Xhevat Limani ka spikatur gjithnjë me personazhet e tij në skenën e filmit dhe atë të teatrit, duke realizuar me mjeshtëri rolet që ka interpretuar. Ai ka realizuar filmin e parë shqiptar në Maqedoni. Një nga projektet e tij më të rëndësishme është poema dramatike “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, një dramë e shkruar nga Xhevat Limani, ku spikat realizimi i figurës së heroit tonë kombëtar luajtur prej tij.
Përgjatë muajit Nëntor, kjo shfaqje është vënë në skenë në disa vende të Europës, në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar.
I ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Xhevat Limani rrëfeu detaje rreth shfaqjes.
https://youtu.be/aXQddpF9tF8?t=8m39s
“Poema dramatike “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është shfaqur në shumë vende të botës dhe kur duartrokitem nga publiku e kur dëgjoj rënkimet, vajin, dinjitetin apo frymëmarrjen e rënduar të publikut shqiptar, më shkakton kënaqësi të veçantë. Publiku e ka imazhin e tij të qartë, nuk mund të improvizojë aktori, sepse improvizimi është një shëmti në art dhe detyra e aktorit, që përveçse do të merret me hulumtimet, është të krijojë një personazh prej mishi dhe gjaku. Me 16 Nëntor 2012 bëra shfaqjen e parë dhe vazhdon edhe sot. Në rolin e Donikës është vajza ime Era Hoxha. Arsyeja se përse vura Donikën në dramaturgji është se dramaturgjia i ka hyrë në hak femrës dhe unë desha të vë një balancë”
, tha aktori.
/tvklan.al