Skuadra e Partizanit niset drejt Maqedonisë për stërvitje – (3 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Është nisur sot drejt Maqedonisë, skuadra e Partizanit, e cila do të zhvillojë atje një periudhë tjetër përgatitore, pas asaj që kreu në fillimin e Dhjetorit në Antalia të Turqisë. Të kuqtë nën drejtimin e trajnerit Bajko, janë stërvitur me intensitet deri në fundvitin e kaluar. Sipas Bajkos tani po vazhdon stërvitja për t’u paraqitur denjësisht në fazën e dytë të kampionatit në kupën e Shqipërisë.
Objektivi kryesor i Partizanit është rikthimi sa më shpejt në kategorinë e të mëdhenjve dhe duket se stafi i skuadrës, me presidentin Xhani, i është përkushtuar së tepërmi këtij qëllimi për ta ngjitur Partizanin në vendin që i takon. Pas kthimit nga Ohri, të besuarit e Bajkos, do të jenë të impenjuar në kupën e Shqipërisë, ku më 20 Janar përball tyre do të jetë një kundërshtar i fort si Bylis, por të kuqtë shpresojnë të shkojnë më larg në këtë aktivitet të rëndësishëm./tvklan.al