Sllovenia jep mbështetje për hapjen e negociatave Shqipëri – BE
Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, Sllovenia jep mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Deklarata vjen nga Kryeministri slloven, Miro Cerar, gjatë një takimi me homologun shqiptar Edi Rama, në Lubjanë.
“Sa i përket Reformës në Drejtësi, për të cilën më duhet të uroj qeverinë, mund të them se bëhet fjalë për një hap shumë të rëndësishëm përpara në drejtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sllovenia është e gatshme dhe për këtë kemi biseduar edhe sot, që të ofrojmë një bashkëpunim dhe ndihmë, nëse është e dobishme dhe e favorshme për Shqipërinë. Mirënjohje të madhe kolegut Rama për një ecje të madhe të Shqipërisë, vitet e fundit, drejt Bashkimit Europian, ku edhe Sllovenia aktivisht mbështet që sa më parë të caktohet data për negociatat për afrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Kryeministri Rama shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të krijuar kushtet për një bashkëpunimin ekonomik me të ngushtë mes dy vendeve.
“Ne kemi diskutuar edhe për të çelur një fazë të re në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, duke krijuar bazat për një afrim dhe bashkëpunim më të ngushtë mes sipërmarrësve shqiptarë dhe sllovenë, si dhe duke u përpjekur të nxisim më shumë, qoftë njerëzit, qoftë sipërmarrjet lidhur me turizmin, pasi është një instrument i shkëlqyer jo vetëm për rritjen ekonomike, por edhe për njohjen, afrimin dhe miqësimin mes njerëzve”.
Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, Kryeministri Rama kërkoi nga BE të liberalizohen vizat për Kosovën, si i vetmi popull që nuk lëviz dot lirisht si gjithë të tjerët në Europë. Sipas Ramës, vonesa e kësaj vendimarrje është një turp për Bashkimin Europian.
Gjatë vizitës në Slloveni, kreu i qeverisë është pritur në një takim dhe nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Milan Brglez.
Tv Klan