Sondazhi i Mediave, Klani televizioni më i ndjekur – (27 Qershor 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Në tre vjet jetë, Televizioni Klan ka arritur të ngjitet në krye të klasifikimit, si kanali televiziv më i ndjekur në Shqipëri, duke lënë pas jo vetëm dhjetra stacione private, që kanë lulëzuar vitet e fundit, por edhe Televizionin Shtetëror, tradicionalisht më i ndjekuri gjatë ediconeve informative.
Këtë përfundim ka nxjerrë një sondazh i realizuar nga njësia e medias pranë projektit IFDC dhe i financuar nga USAID-i. Përfundimet e këtij sondazhi janë publikuar në revistën Media Shqiptare, botim i Institutit Shqiptar të Medias. Kështu pyetjes se cilin stacion televiziv ndiqni më tepër, 28% e personave të anketuar i janë përgjigjur Tv Klan.
Klani është renditur i pari në preferencat e shikuesve dhe pas tij vijnë, TVSH me 26% të të anketuarve, TVA me 11%, Telenorba me 9% dhe kanalet e tjera gjithsej me 8%. Tv Klan është përsëri i pari edhe në klasifikimin sipas pyetjes, në cilin stacion televiziv i ndiqni më tepër reklamat. 33% e të anketuarve janë përgjigjur Tv Klan, ndërsa 22% kanë preferuar TVSH dhe 14% Telenorbën.
Përsa i përket edicioneve informative, Tv Klan është renditur i dyti me 24% pas TVSH me 32%, në vend të tretë TVA me 15%. Për radiot si stacioni më i ndjekur është renditur Top Albania Radio me 41%, në vend të dytë Radio Tirana me 21% dhe në vend të tretë Radio Koha me 11%. Ky anketim u krye në katër zona të mëdha të Shqipërisë dhe u intervistuan 700 persona./tvklan.al