Sot finalja e shtyrë e Copa Libertadores
Finalja e shumëpritur e copa libertadores më në fund duket se do të luhet mbrëmjen e sotme. Derbi i Amerikës së Jugut mes River Plate dhe Boca Juniors, i parashikuar për tu luajtur një ditë më parë u shty për shkak të trazirave që shkaktuan tifozët e River. Sulmi ndaj autobusit të Boca, lojtarët e saj që u tronditën jo vetëm nga gurët në xhamat, por edhe nga gazi lotsjellës i policisë bënë që autoritetet pas disa tentativave për ta luajtur ndeshjen të shtunën morën vendimin për ta shtyrë.
Sot do të luhet nën masa të larta sigurie. Kjo finale nuk është vetëm një ndeshje mes dy skuadrave argjentinase, por bëhet fjalë për trofeun më të madh për klubet e të gjithë kontinentit amerikanolatin.
Kjo finale ka hyrë tashmë në historinë e futbollit pasi është hera e fundit që luhet më dy takime. Që prej sezonit të ardhshëm do të ketë vetëm një ndeshje që do të përcaktojë fituesin e trofeut. Përballja e parë e luajtur në fushën e Boca Juniors përfundoi në barazim 2-2. Por nuk ka rëndësi se si ka qenë e shkuara, pasi ky derbi është gjithnjë i luftuar, pavarësisht kondicionit apo përgatitjes së futbollistëve. Nuk është quajtur më kot El Superclasico. Gjithçka që duhet bërë nga lojtarët që do të zbresin në fushë është menaxhimi i presionit që do të vijë nga shkallët e stadiumit. Ata të Bocas do të duhet të mos tremben ndërsa skuadra vendase të mos entuziazmohet më shumë nga ç’duhet. Do të jetë e shtata për Bocan apo e katërta për River? Do të vendoset sonte në mbrëmje me ndeshjen që pritet të nisë në orën 21:00.
Tv Klan