Sot takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë
Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë sot takimin e nivelit të lartë në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një tryezë të ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe i dërguari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Takimi i sotëm pritet me shumë interes, pasi palët janë shprehur më herët se mund të ketë zhvillime të rëndësishme. Në axhendën e publikuar më herët mësohet se këtë të hënë do të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe do të diskutohet për të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë.
Mësohet se takimi i nivelit të lartë do të fillojë në orën 10:00 dhe në orën 10:30 do të ketë një konferencë nga i dërguari special i BE, Lajçak.
Një ditë më parë koordinatori shtetëror për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, u shpreh optimist për tryezën e sotme dhe tha se palët janë afër një marrëveshje që mund të sjellë dhe njohje reciproke. Pak ditë më parë Kosova dhe Serbia nënshkruan dhe një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë./tvklan.al