Spanja e Portugalia ndahen në barazim
Dramatike mes Portugalisë dhe Spanjës. Ndeshja më e fortë deri tani në Botëror rezultoi vërtetë e tillë. Në Soçi perfundoi në barazim 3-3.
Talenti dhe klasi i lojtarëve spajollë nuk mundi të triumfojë përballë një super Cristiano Ronaldo. Topi i Artë tregoi sa vlen, duke realizuar një tregolësh. Që në minutën e 4-t, Ronaldo i vodhi në 11-metërsh shokut të skuadrës te Real Madrid, Nacho-s, për ta kthyer më pas vetë në gol.
Barazimi erdhi nga Diego Costa. Kur dukej se pjesa e parë do të ndahej paqe, ishte sërish Ronaldo që prishi ekuilibrat, i ndihmuar edhe nga pasiguria e portierit De Gea. Goditja me të majtën e sulmuesit porugez, nuk u ndal dot nga gardiani spanjoll.
Në pjesën e dytë spanjollët përmbysën rezultatin në 3-2, me gola të Diego Costa-s dhe dhe një supergol të Nacho-s.
Në minutat e fundit Spanja bëri atë që di të bëjë më mirë, administrimin e lojës, por pa ja arritur deri në fund. 2 minuta nga fundi Cristiano Ronaldo shkëputi nga klasi i tij një goditje të papritur për portierin De Gea.
Ndonëse plot grintë, derbi iberik përfundoi pa një fitues.
Pas përfundimit të ndeshjeve të para, grupin B e kryeson Irani me 3 pikë, ndjekin Portugalia dhe Spanja me nga 1 pikë, dhe në fund është Maroku me 0 Pikë.
Tv Klan