Spanja rekord negativ, mbi 2 milionë të infektuar në vend
Spanja është bërë vendi i katërt i Evropës Perëndimore që ka arritur 2 milionë raste me COVID-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë shkalla e infeksionit është rritur shumë javët e fundit.
Që prej së martës janë raportuar më shumë se 42,360 raste dhe tashmë në të gjithë vendin numërohen 2,024,904 raste me COVID.
Edhe numri i viktimave është rritur ndjeshëm, pasi ka shkuar në 51,675. Në 24 orët e fundit 245 pacientë nuk e fituan dot betejën me koronavirusin.
Autoritetet në rajonin verior të vendit njoftuan se do të marrin masa për frenimin e rasteve, duke mbyllur qendrat tregtare dhe palestrat. Po ashtu nuk do të lejohet udhëtimi i qytetarëve jashtë rajonit.
Edhe në Verilindje janë shtuar masat kufizuese pasi qytetarët janë këshilluar që të qëndrojnë në shtëpi për 10 ditët e ardhshme dhe mund të dalin vetëm për nevoja urgjente.
Edhe pse rastet po shtohen shumë, sipas vlerësime të ekspertëve masat në Spanjë janë më të buta se në vendet e tjera.
Ndërkohë në këtë shtet ka nisur dhe procesi i vaksinimit dhe deri tani e kanë marrë vaksinën 207,323 qytetarë./tvklan.al