Spartak Ngjela konferencë për arrestimin e zyrtarëve demokratë (25 Gusht 1998)
Avokat Spartak Ngjela njeriu i cili duhet të hetonte mbi fajtorët e vërtetë të Marsit 1997, nuk është dakort me arrestimin e 6 ish zyrtarëve demokratë ndaj madje ai këmbëngul se Prokuroria ka gabuar. Sipas Ngjelës i gjithë ky proces është një revansh politik dhe se në Shqipëri është e vështirë të vërtetohet akuza për krime kundër njerëzimit.
“Nuk jam dakort me mënyrën drastike dhe jashtë frymës së ligjit për arrestimet që janë kryer ndaj ish zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike“- u shpreh ai.
Për rreth 35 minuta avokati si dhe ish ministri i Drejtësisë iu përgjigj sot në mesditë pyetjeve të gazetarëve. Ngjela është përqënduar kryesisht mbi mënyrën e arrestimit të 6 ish funksionarëve ndërsa për akuzën avokati u shpreh se në një shoqëri të lirë çdokush ka të drejtë të akuzojë dhe më pas të mbrojë akuzat e veta. Tek arrestimi Ngjela vëren një kapërcim të aktit procedurial dhe kjo e bën atë të mendojë se është një proces shumë politik./tvklan.al
Gazetar : Endri Xhafo