Spartak Poçi, konferencë shtypi – (8 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Këto ditë do të ketë goditje të tjera ndaj elementëve të veçantë dhe grupeve kriminale. Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi ka dhënë një konferencë për shtyp ku ka shpjeguar rezultatet e vizitës së tij në SHBA dhe zhvillimet e fundit të ndodhur në vend. Me personalitetet e drejtësisë amerikane dhe strukturave të tjera të cilat merren me luftën kundër krimit, janë hedhur piketat e bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe kolegëve amerikanë.
Gjatë takimeve në SHBA ministrit Poçi i është dhënë një përkrahje e madhe për rrugën e nisur dhe është përgëzuar për rezultatet e arritura nga policia shqiptare në eleminimin e më shumë se 30 bandave të cilat veprojnë në zona të ndryshme të vendit në një periudhë afër katër mujore.
Ministri Poçi ka deklaruar se ai nuk ka patur asnjë djeni për incidentin e truprojave të kandidatëve për kryetar të PS Fatos Nano dhe se ardhja e forcave speciale të Vlorës në Konferencën e Tiranës nuk mund të konsiderohet si një incident. Së shpejti do të ketë rezultate të tjera në luftën ndaj krimit të organizuar dhe ordiner. Nga ana tjetër ne si polici duhet të punojmë më shumë për të siguruar sa më shumë prova që çdo gjykatës i korruptuar të mos ketë mundësi ti nxjerrë të pafajshëm kriminelët është shprehur ministri i Rendit Publik Spartak Poçi./tvklan.al