Speciale, Filmi dokumentar “Dhëmb për Dhëmb” – (7 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Filmi dokumentar “Dhëmb për Dhëmb” është realizuar nga gazetari i njohur gjerman Hajn Shmid që ka në qendër të tij temën e gjakmarrjes. Për të na njohur se si lindi ideja e realizimit të këtij filmi ne kemi ftuar Martin Frig, Atasheu Kulturor i Ambasadës Gjermane në Tiranë, zotin Rasim Gjoka, Drejtor i Fondacionit për Pajtimin e Konflikteve dhe gazetarin Alfred Nune i cili ka qenë asistent i zotit Shmid në realizimin e këtij filmi.
Gazetari:- Zoti Gjoka si lindi ideja për realizimin e këtij filmi me temën e gjakmarrjes në Shqipëri?
Rasim Gjoka:- “Duke u kthyer në kohë, kujtoj bashkëpunimi që kishim vitin e kaluar por dhe këtë vit me Ambasadën Gjermane, por në mënyrë të veçantë me ish-sekretaren e kësaj Ambasade Xhulia Gros, e cila rekomandoi dhe ishte iniciuese e bashkëpunimit të Fondacionit zgjidhja e konflikteve që unë përfaqesoj me gazetarin gjerman Mister Shmid për të realizuar një film me metrazh të shkurter rreth fenomenit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes, aq të përfolur dhe aq evident në realitetin social shqiptar. Pra është një film me dimensione të tilla që ndryshon nga shumë filma të tjerë që janë transmetuar në televizionet shqiptare, të realizuar nga stacionet e tjera qoftë franceze, gjermane apo suedeze”.
Gazetari:- Me sa di në fund jepet ideja se edhe pas një gjakmarrje 100 vjeçare mes dy familjeve shqiptare ka drite në fund të tunelit për t’u pajtuar. A mendoni se ky pajtim mund të vijë një ditë për të gjitha ato raste që ju i keni trajtuar në Fondacionin tuaj?
Rasim Gjoka:- “Mediatori me të cilin ne bashkëpunojmë dhe ballafaqohen çdo ditë me raste të shumta. Por e rëndësishme është të evidentohen saktë rastet dhe të punohet për të gjetur mënyrën e zgjidhjes së tyre. Unë do të përmendja vetëm një shifër të këtij viti. Gjatë gjashtëmujorit të parë mediatorët veçanërisht në zonën Veriore të Shqipërisë kanë arritur të parandalojnë të zgjidhin të gjithë konfliktet për gjakmarrje”.
Gazetari:- Duke uruar që edhe institucionet shtetërore të jenë po aq aktive në frenimin dhe në shuarjen e konflikteve, do doja që t’i drejtohesha me një pyetje zotit Fri: Si ju duket nga pikpamja gazetareske ndërtimi i këtij filmi?
Martin Frig:- “Mund të them se filmi është shumë impresionues. Gjakmarrja është një fenomen që në Gjermani as nuk mund të mendohet se në Europë ekziston një gjë e tillë. Më beri përshtypje llogjika e ftohtë me të cilën njerëzit hakmerren ndaj njeri-tjetrit”.
Gazetari:- Zoti Frig pse mendoni se ka interes për teleshikuesit gjermanë, tema dhe mesazhi i ketij filmi për gjakmarrjen në Shqipëri?
Martin Frig:- “Unë mendoj se ka tre arsye. Arsyeja e parë është që për gjermanët gjakmarrja është një gjë që s’mund të imagjinohet në këtë fundshekulli. Arsyeja e dytë është që në Gjermani ka një interes shumë të madh për shqiptarët, sepse Shqipëria është një vend në Europë kaq afër të cilën nuk e njohim dhe veçanërisht pas ngjarjeve të fundit ekziston një lidhje e fortë mes Gjermanisë dhe Shqiperisë. Dhe unë mendoj se kjo vetëm prej faktit që gjermanëve u bëri përshtypje se si Shqipëria mundi të përballonte fluksin kaq të madh të refugjatëve kosovarë”.
Gazetari:- Zoti Frig duke u nisur nga zhvillimet më të
fundit, besoj se ju jeni të
mirinformuar për atë çka ndodh në Shqipëri por
edhe në Kosovë, si ju duket transmetimi i këtij filmi në këto momente nga
Televizioni Klan?
Martin Frig:- “Më kujtohet një fjali nga filmi nuk e di kush e thotë, ishte
një burrë i vjetër që thotë: është më e vështirë të falesh se sa të marrësh gjakun. Mendoj që kjo fjali është e saktë dhe kjo gjë është akoma kaq aktuale në Veri të Shqiperisë. Unë e kuptoj që njerezit janë të lënduar. Ata kanë humbur pjestarët e familjes dhe zemërimi është aq i madh. Por ndoshta në këtë film do të theksoj që është një rreth vicioz pune i cili një herë duhet të marrë fund. Dhe ky angazhim është më i denjë sesa dhunës t’i përgjigjesh me dhunë”.
Gazetari:- Së fundi doja t’i drejtoja një pyetje zotit Nune, një gazetar që ka punuar edhe si asistent i gazetarit gjerman që ka realizuar filmin. Çfarë impresionesh të veçanta keni nga realizimi i këtij filmi dhe si është pritur transmetimi i tij në Gjermani dhe në vende të tjera?
Alfred Nune:- “Unë them që filmi “Dhëmb për Dhëmb” i Hajn Shmid është dhënë në 17 stacione televizive në Europë. Ka pasur një sukses relativisht të madh dhe në lidhje me atë çka ndodhte në Shqipëri dhe në Kosovë kohët e fundit. Hajnsi është një gazetar që është i dashuruar me Shqipërinë. Unë nuk do të harroj fjalët e tij që ndërsa zbrisnin nga rrepirat e maleve të Pukës, ai thoshte që unë kam një frikë të tmerrshme për vdekjen, por jam i lumtur që takova këta njerëz kaq të çiltër, kaq të pastër në Shqipëri, të cilet kanë burrerinë që të falin përpara një marrje gjaku tjetër”.
Gazetari:- Duke ju falenderuar, falenderojmë dhe zotërinjtë që ju përgjigjën pyetjeve tona, ftojmë tani shikuesit e Televizionit Klan të ndjekin filmin “Dhëmb për Dhëmb”./tvklan.al
Gazetar – Alfred Peza