Speciale, kryeministri Meta në Turqi – (19 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Stambolli një nga qytetet më të njohura të Turqisë, ka pritur biznesmenët më të fuqishëm të rajonit. Së bashku me donatorët si Banka Botërore, BERZH, Komisioni Europian, etj, ata kanë diskutuar për përfshirjen e biznesit privat, në projektet aktuale dhe ato që do të pasojnë në zbatimin e Paktit të Stabilitetit në Ballkan. Kështu me iniciativën e biznesmenëve turq u mblodh forumi i biznesit për Paktin e Stabilitetit në rajon, ku i ftuar nderi ishte dhe kryeministri shqiptar Ilir Meta. Ndërkohë në takim nuk kanë munguar as biznesmenët shqiptarë të kryesuar nga Vehbi Velia.
Emrat më të njohur të biznesit në Ballkan, kanë kërkuar klimë më të favorshme për ushtrimin e aktivitetit, zbutje të barrierave tatimore, thjeshtëzim të procedurave ligjore, etj. Në një nga seancat e forumit të biznesit, fjalën e ka marrë edhe kryeministri Meta. Kryefjala e kreut të qeverisë shqiptare ka qenë ftesa e hapur për biznesmenët e pranishëm në forum. Sipas kryeministrit Meta mbledhja e këtij forumi të biznesit aktualisht është shumë i rëndësishëm, pasi pa bashkëpunim ekonomik dhe pa shkëmbimin e biznesit ndërmjet njëri-tjetrit, Pakti i Stabilitetit nuk do të jetë në gjendje të plotësojë shpresën dhe aspiratat e qeverive dhe popujve të rajonit, për të sjellë paqen dhe prosperitetin ndërmjet të dyja kombeve.
Kryeministri Meta pas përfundimit të biznesmenëve rajonal, ka lënë Stambollin për të shkuar drejt kryeqytetit turk Ankarasë, ku është takuar me homologun turk Bulent Eçevit dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, Husein Kivrikoglu. Në këtë takim theksi është vënë në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Sipas kryeministrit Meta do të bëhen të gjitha përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurimit, ndërsa Eçevit theksoi, se ky bashkëpunim ushtarak turko-shqiptar, do të kontribuojë për të prishur një sërë konfliktesh të armatosura. Turqia ka dhënë për modernizimin e ushtrisë shqiptare 40 milion dollarë dhe mendon ta dyfishojë këtë shumë deri në vitin 2004.
Meta dhe Eçevit janë ndalur dhe në marrëdhëniet ekonomike, ky i fundit ka premtuar se kredia prej 10 milion dollarësh, që Eksi Bank, do të japë për biznesin shqiptar, do të rritet edhe më shumë. Ndërsa Meta u shpreh, se firmat turke që kanë ardhur në Shqipëri, kanë bërë një paraqitje të mirë dhe se është koha e përshtatshme dhe për kompani të tjera./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego