Speciale – Kryeministri Meta pas vizitës në Greqi – (5 Prill 2001)


Speciale – Kryeministri Meta pas vizitës në Greqi – (5 Prill 2001)

09:20 05/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Intervistë me kryeministrin Ilir Meta për vizitën në Greqi dhe takimet e zhvilluara atje.

Gazetarja:- Zoti Meta, gjatë qëndrimit tuaj në Greqi, ju i keni shtrënguar dorën kryeministrit jugosllav Gjingjiç dhe keni biseduar me të. Cilat kanë qenë pikat më të nxehta të bisedimeve tuaja?

Kryeministri Ilir Meta:- “Është hera e parë që unë takohem me kryeministrin e Serbisë zotin Zoran Gjingjiç, pas fitores së forcave të opozitës demokratike atje dhe në këtë takim të parë më shumë sesa me diskutimet mbi të kaluarën dhe analizat për të, kemi shprehur vullnetin tonë, për t’u dhënë një të ardhme marrëdhënieve tona midis Serbisë dhe Shqipërisë, pas një historie mjaft të hidhur dhe të ngarkuar me konflikte për dekada të tëra. Ne diskutuam edhe për çështje konkrete, siç është ajo e Preshevës. Unë i kam bërë edhe njëherë të qartë zotit Gjingjiç, se ne mbështesim vetëm dialogun, për zgjidhjen e problemeve atje, ashtu sikurse kam shprehur shqetësim për keqtrajtimin që u është bërë shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Po kështu ne kemi diskutuar edhe për Kosovën, për faktin se sido që të jetë situata në Kosovë është gjithmonë një problem në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe me vetë stabilitetin e rajonit tonë”.

Gazetarja:- Jeni takuar në Greqi edhe me homologun Simitis. Ku është përqendruar diskutimi juaj zoti Meta?

Kryeministri Ilir Meta:- “Me kryeministrin Simitis, kemi vendosur, që të takohemi sa më intensivisht, në mënyrë që të mos lejojmë që problemet e vogla të instrumentalizohen nga faktorë të caktuar në Shqipëri apo në Greqi dhe të shndërrohen në probleme të mëdha midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse këto marrëdhënie kanë njohur vitet e fundit stabilitet, përmirësim të vazhdueshëm, një rritje të frymës së mirëbesimit dhe bashkëpunimit”

Gazetarja:- Ndërsa në takimin me ish-presidentin amerikan Bush, çfarë mund të na veçonit?

Kryeministri Ilir Meta:- “Kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin që të bisedojë me presidentin Bush, gjatë darkës së dhënë për nder të tij dhe natyrisht presidenti Bush gjithmonë është i interesuar për zhvillimet në Shqipëri dhe gjithmonë mbetet një mbështetës i demokracisë në Shqipëri”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme