Speciale, Nano në Peshkopi – (22 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Fatos Nano 24 orë në Peshkopi në zgjerim të gjeografisë së fushatës së tij elektorale. Pas Kryeqytetit dhe Jugut të Shqipërisë, ka qenë ky stacioni i fundit i axhendës së ish-kryeministrit për rizgjedhje në postin e kryetarit të PS, në kongresin e jashtëzakonshëm të Tetorit. Ne nuk duhet ta abandonojmë të shkuarën tonë historike. E ardhmja nuk ndërtohet vetëm me të tashmen, ka qenë ideja e tij.
Nano jo më kotë kishte zgjedhur qytetin e Peshkopisë. Gjithçka është vendosur rreth 30 km larg qytetit në fshatin Sllovë, vendi i themelimit 55-vjet më parë i Brigadës së 18-të Sulmuese. Fatos Nano ishte i ftuari special në këto veprimtari ku morën pjesë dhe Mnistri i Jashtëm dhe deputeti i zonës Paskal Milo dhe Ministri i Punëve Publike dhe Çështjeve Sociale dhe ish-lideri lokal i PS, Kadri Rrapi. Nanon e shoqëronte në këtë vizitë dhe kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi.
Nano me këtë rast rihapi një temë që shqiptarët e kishin harruar disi atë të vlerësimit të Luftës Nacional Çlirimtare, ku në fund të Nëntorit do të festohet edhe 55 vjetori i çlirimit të Shqipërisë. Fatos Nano gjatë evokimit të historisë në tubimin përkujtimor ka qenë në rolin e një të ftuari të thjeshtë. Në këtë qytet ai pati dhe një takim me veteranët e luftës. Sipas stafit të tij Nano kërkon të hesh poshtë idenë e Majkos, sipas të cilit Shqipërinë e bëjnë vetëm të rinjtë. Në përfundim të këtij aktiviteti Nano i është përgjigjur pyetjeve të Tv Klan.
Socialisti Fatos Nano:- “Një vit i tillë që është viti i 55-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashist dhe fjala e parë ju takon veteranëve, ish-partizanëve, heronjve që flasin nëpërmjet respektit dhe nderimit që ju bëjnë brezat. Natyrisht ky respekt është i pandërprerë dhe nuk mund të shfaqet me fushata, po unë e quajta detyrë të marrë pjesë dhe ti përgjigjem ftesës të organizatorëve për faktin se Dibra ka një rol të shquar në historinë e Shqipërisë. Pra nga Dibra formacionet partizane kanë çliruar nga pushtuesi nazifashist edhe një pjesë të Kosovës. Vetëm në rrugën e bashkëpunimit midis brezave të nxjerrjes së mesazheve të duhura na historia e këtij populli mund të ecet përpara”.
Gazetari:- Megjithatë fushata juaj vazhdon.
Socialisti Fatos Nano:- “Natyrisht unë takova mjaft nga socialistët e Dibrës sepse të majtën e karakterizon mbi të gjitha Antifashizmi dhe solidariteti në mbrojtjen e vlerave të qënësishme të kombit shqiptarë. Ndjeva të njëjtin respekt dhe reciprokisht u çmallëm, mu desh edhe tju kërkoj ndjesë kisha 6 vjet pa i takuar, dibranët dhe socialistët dibranë në shtëpinë e tyre”./tvklan.al