Speciale për refugjatët nga Kosova (7 Mars 1999)
Jetë e vështirë dhe e pasigurt për refugjatët e ardhur nga Kosova. Prej 9 muajsh rreth 11 mijë kosovarë janë vendosur në rrethin e Durrësit duke përbëre numrin më të madh të refugjatëve që jetojnë në Shqipërinë e Mesme. Pas një shkatërrimi total si dhe një shfarosje masive nga serbët ata vazhdojnë të përjetojnë problemet e jetesës së atyre që kanë ardhur dhe duhet të rrinë përkohësisht në një vend tjetër. Strehimi, shkollimi por dhe rrallëherë ushqimi është i vështirë për ata që u larguan për t’i shpëtuar dhunës serbe. Qytetet e Durrësit dhe të Vlorës janë një trampolinë e kalimit klandestin të tyre drejt vendeve ku ata mund t’a ndjejnë veten të sigurt. Shumica janë të detyruar të sistemohen nëpër familjet e të afërmve të tyre. Në rrethin e Durrësit më shumë janë vendosur në zonën e Shkallnurit. Përveç mungesës së ujit, dritave, familjet kosovare detyrohen të jetojnë deri në 10 veta në një dhomë. Ndërkohë ndihmat kanë fillur të pakësohen. Për të gjithë dëshira është të kthehen sërish në vendin e tyre.
Refugjatë nga Kosova: Jetojmë si me thënë në kushte shumë të vështira, mirëpo përderisa pakëz ndihma kemi edhe pak të ardhura për jashtë që të kemi, dikush na çon diçka dikush me ndihma kështu. Ju e shihni dhe vetë nuk po di pasi pak ndihma kemi sa me hëngër e me pi.
Refugjat nga Kosova: Kushte të vështira. Familje shumë, banesat shtrenjtë,
se ndihma na kanë dhënë.
Një fëmijë: Një çikë mirë.
Shefqet Sheremiti: Por problemi ma eminent që është, është strehimi. Tani është keqësu gjendja në atë masë sa të vetmen zgjedhje
e shohin ata që kanë ndonjë njeri në botën e jashtme duke punuar, të kqyrin, të gjejnë mjete për udhëtim.
Gazetarja: Si paraqitet jetesa e tyre në Shqipëri?
Shefqet Sheremiti: Në fillim nga 15 Maji i vitit të kaluar të cilët e filluan së pari të strehohen në këtë pikë ku unë jam përgjegjës e deri më sot, mbrëmë kemi bërë një regjistrim afër 8 mijë refugjatë që kanë kaluar nëpërmjet këtij punti.
Gazetarja: A keni pasur ndihmesë nga shteti për strehimin e këtyre refugjatëve, për shkollimin e fëmijëve apo edhe për mjekimin e të sëmurëve?
Shefqet Sheremiti: Jo vetëm për strehimin po për asnjë mjet urgjence deri më sot nga Qeveria nuk kemi pasur ndihmë.
Gazetarja: Kë ke humbur në luftë?
Nje femije: Babain
Gazetarja: Të ka marrë malli për Kosoven? Po.
Gazetarja: Do doje të ktheheshe? Kë kë humbur në luftë?
Një fëmijë tjetër: Babën. E kanë vrarë.
Mjeku kosovar, Ali Kuci: Gjendja shëndetësore e refugjatëve kosovarë të cilët gravitojnë puntin e Shkallnurit, mund të them se nuk është e kënaqshme për arsye se nga vetë numri i pacientëve që kemi në ditë këtu. Mesatarisht në ditë kemi mbi 35 vizita dhe nga kjo mund të konkludojmë që mëqënëse është numri shumë i madh i vizitave brenda ditës, atëherë dhe gjendja shëndetësore nuk është në nivel. E gjithë kjo vjen në radhë të parë për shkak të traumave të cilët kanë pësuar të ardhurit nga Kosova gjatë luftës, por edhe për shkak të kohëve të fundit dhe për shkak të kushteve të vështira të banimit. Ndër patologjitë më të shpeshta që lajmërohen këtu tek neve janë përpos ato të stresit postreumatike kemi edhe patologjitë të cilat janë karakteristike për stinën e vitit në të cilën gjendemi, pra kemi të sëmurë me bronkite me bronkopneumoni e të tjera.
Gazetarja: Zonje ju jeni shtatëzanë do të donit që femijën ta lindnit në Shqipëri apo në Kosovë?
Refugjatja: Unë kam dëshirë në Kosovë mirëpo nuk e di sa du me arrit atë dëshirë. Se përderisa i kam lindur të gjithë atje kam dëshirë edhe këtë.
Gazetarja: Ku e mendoni zgjidhjen e Kosovës?
Refugjatja: Nuk e di, pritet tash po presim dhe dy javë çfarë bëhet mirëpo nuk besoj që bëhet diçka.
Gazetarja: A dëshironi të ktheheni sërish në Kosovë?
Refugjati: Po dëshirojmë.
Gazetarja: Ku e mendoni zgjidhjen e Kosovës?
Refugjati: Kur të na thonë ne jemi të kënaqur me u nis.
Gazetarja: A besoni tek zgjidhja që do t’i bëjë Rambujeja?
Refugjati: Besojmë. Besojmë plotësisht.
Shefqet Sheremiti: Mendoj, nëse merren hapa të cilat janë nisë, Çka mendoj që do të merren për arsye se koha e bën të veten jam i bindur që nga Maji duhet të fillojnë apo Qershori të kthehen ata refugjatë që ngelin në Shqipëri./tvklan.al